Ngjarjet e ditës

Asambleistja që ndërroi tri parti për katër vjet

Asamblistja e AKR-së, Fiknete Bejta, është rikthyer te partia e vjetër e saj, Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK).

E deri më tani ka ndërruar tri parti. E filloi karrierën politike në LDK më pastaj shkoi në AAK, në Kuvendin Komunal një kohë veproi si e pavarur ndërsa në zgjedhjet lokale të këtij viti garoi në listën e AKR-së.

Bejta iu bashkua AAK-së së Ramush Haradinajt në nëntor të vitit 2018, pasi u largua nga LDK-ja.

Kryeministri i atëhershëm , Ramush Haradinaj në nëntor të 2018-s nga ambientet e Qeverisë kishte dhënë lajmin se subjektit të cilin e drejton ai, AAK, i është bashkuar një asambliste e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e LDK-së.

“Kënaqësi ta pranojmë sot, në radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës aktivisten dhe asambleistën e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fiknete Bejta”, kishte shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Por vetëm pas tri vitesh, në shkurtit të 2020-s, ajo dha dorëheqje edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Bejta, përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, kishte thënë se po largohej nga AAK-ja për të mbrojtur dinjitetin e saj dhe ishte shprehur e zhgënjyer sidomos nga strukturat e kësaj partie.

“Po tërhiqem nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për ta mbrojtur dinjitetin tim, ku pata hyrë me vullnetin më të madh që t’i vë në lëvizje kapacitetet e mia politike dhe intelektuale në dobi të shoqërisë e të shtetit tonë. Jam e zhgënjyer shumë me përvojën time në këtë parti, sidomos me strukturat e saj, ku s’të shprehet as falënderimi më i vogël për punën e angazhimin që e bënë”. kishte shkruar Bejta.

Partisë të cilës iu rikthye tash, LDK-së, dikur i ankohej se nuk po gjente hapësirë për të punuar.

“Dola nga LDK me arsyen se më mungonte hapësira për të punuar, por në AAK gjeta edhe më keq”, kishte shkruar Bejta në atë kohë.

Ajo, për një kohë kishte vepruar si e pavarur në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Para 6 muajsh ajo njoftoi se në zgjedhjet e 17 tetorit të 2021-tës po i hynte garës me AKR-në dhe i thurte lavde, kryetarit të degës së AKR-së në Pritshtinë, Selim Pacollit për punën dhe zotësinë.

“Garës për Kuvend Komunal po i hyj edhe njëherë. Dëshiroj t’ju njoftoj se Lista e Selim Pacollit, duke respektuar punën time në Kuvend Komunal, më ka ftuar që të garojmë së bashku në zgjedhjet lokale që po vijnë, me numrin 2 në listë. E njoh nga afër përkushtimin dhe zotësinë e z. Pacolli, prandaj nuk hezitova që të jem pjesë e këtij ekipi, që pas datës 17 tetor do të bëhet udhëheqja e re e Prishtinës, për t’i gjetur zgjidhjet problemeve të shumta në kryeqytet”, shkruante Bejta në gusht të 2021-s.

Ajo me AKR-në e fitoi mandatin e asamblistës por që prapë iu rikthye LDK-së.

Kjo është bërë e ditur nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, gjatë seancës së sotme të Kuvendit Komunal.

Related Articles

Back to top button