
Burg e gjoba për bizneset që rritën çmimet padrejtësisht – Mbyllen dy depo
Kryeprokurori i Shtetit ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me policinë dhe Inspektoratin e Tregut, do t’i ndërmarrë veprimet ligjore (dënim me burg dhe gjobë) ndaj bizneseve, të cilët, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, ndikojnë në vënien e çmimeve të padrejta të shitjes së artikujve ushqimor.
Në një komunikatë për media, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit tutje thotë se veprime ligjore do të merren edhe ndaj atyre bizneseve që në ndonjë mënyrë të padrejtë rregullojnë çmimet e blerjes apo shitjes së mallrave.
Kujtojmë se këto veprime të Kryeprokurorit të Shtetit, së bashku me Policinë e Kosovës, vijnë pasi në vend çmimet e artikujve ushqimor, siç është vaji, kanë arritur në 3.49 euro për litër.
Inspektorati i Tregut në Kosovë ka njoftuar se ka mbyllur dy depo të operatorëve ekonomikë.
Gjatë aksionit të sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, janë mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë.
Depot e mbyllura janë në Fushë Kosovë dhe Graçanicë.
Më herët, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka njoftuar se gjendja është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik sa i përket produkteve ushqimore esenciale.
“Sipas të dhënave nga terreni, disa operatorë kanë zbrazur dje raftet e vajit ushqimor në pikat e shitjes me pakicë, duke krijuar përshtypjen se ka mungesë të produktit. Kurse, sot kanë rikthyer këtë produkt me çmimin 3,49 euro për litër. Vaji ushqimor është importuar ditë më parë dhe fillimisht është shitur me çmim 1,50 euro për litër”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
Sipas njoftimit, “këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, dhe se Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj”.