Ngjarjet e ditës

Hoxhë Drilon Gashi shkruan në persiskop për homoseksualitetin: I kam 15 pyetje, por le t’më përgjigjen me fakte, veç kompetentët

 

 

Po vazhdon debati në shoqërinë tonë pas debatit të djeshëm në seancën e Kuvendit, ku në laramaninë e fjalimeve, kishte disa sosh homofobike. Kjo, shkaku që deputetët nuk kaluan Projektligjin e Kodit Civil, që veç shumë çështjesh tjera, do t’i hapte rrugë edhe një Ligji të posaçëm që lejon martesat e seksit të njëjtë.

 

 

Mes shumë zërash analitik, komentues e kritik, Periskopi ka pyetur edhe hoxhën e njohur nga Peja, z.Drilon Gashi lidhur me debatin e fundit që është hapur në shoqërinë kosovare.

Hoxha i nderuar, ka shtruar 15 pyetje për të gjithë ata, që siç thotë ai, e shohin veten kompetentë dhe iu bën thirrje t’i përgjigjen me fakte.

 

 

Pyetja e tretë e hoxhës, për shembull, është mjaft interesante dhe ajo thotë: Diku 4 për qind e popullsisë së botës supozohet se lindin homoseksualë. Nëse kjo është e vërtetë, dhe një shoqëri i refuzon ata, a do t’i refuzojë edhe Zoti i cili i krijoi të tillë, apo ata i ka krijuar Satani?

Në vazhdim, Periskopi po publikon këto pyetje të hoxhës Gashi, pa asnjë ndërhyrje:

(Shkruan për Periskopin, Drilon Gashi)

I kam disa pyetje, dyshime dhe gjëra të pakuptueshme dhe kërkoj ndihmë prej të gjithë atyre që e shohin kompetent, të më përgjigjen me fakte:

-Po i mallkojmë homoseksualët duke cituar vargje nga historia e popullit të Lutit në Kuran. A ka dallime në leximin dhe interpretimin e atyre teksteve? A e dini çfarë ka thënë f.v. Ibn Hazmi rreth kësaj?

-A duhet të jemi gjithmonë të hapur ndaj njohurive të reja shkencore apo të mbyllemi me mentalitetin e “civilizimit” Atlantidës?!

-Diku 4 për qind e popullsisë së botës supozohet se lindin homoseksualë. Nëse kjo është e vërtetë, dhe një shoqëri i refuzon ata, a do t’i refuzojë edhe Zoti i cili i krijoi të tillë, apo ata i ka krijuar Satani?

-Po hermafroditët që jetonin në shtëpinë e Profetit të Shenjtë kush i pat krijuar,  dhe ai nuk i konsideronte ata të sëmurë apo të çmendur?

-Kurani thotë se erdhi si mëshirë për botët. Por ç’t’i themi kësaj përqindjeje që nuk shohin se Kurani ka mëshirë për ta? A është i gabuar Kurani, apo duhet të kërkojmë shpjegime më të thella që sjellin shërim dhe mëshirë për shpirtin e kësaj pjese të komunitetit?

-Sa jeni të sigurt që historia e Gomorës dhe Sodomës ka të bëjë me homoseksualitetin?! Kurani a foli për paturpësinë e popullit të Lutit, për homoseksualitetin, apo diçka tjetër?

-A u ndëshkua populli i Lutit pse ishin homoseksualë, apo shkaku i dënimit të tyre ishte zullumi, agresioni dhe sulmi ndaj Lutit dhe mysafirëve të tij?

-Kur lexoni këtë histori, pse leni anash mizoritë e kryera nga populli i Lotit të cilat varionin nga idhujtaria, bllokimet e rrugëve, vjedhjet dhe shfrytëzimi ekonomik, e deri te përdhunimi, orgjitë dhe prostitutat në tempullin e Ishtarit, por shihni vetëm frazën “i linin bashkëshortet e tyre dhe shkonin pas burrave” (Shuara:165,166)?! Tjetër: Nëse ata paskan qenë të martuar, dhe shkonin pas gjinisë së njëjtë, a nuk ishte kjo edhe një tradhti bashkëshortore?!

-A kishte homoseksualë para popullit të Lotit? Nëse po, atëherë pse Kurani thotë se veprën e Lotit nuk e kishte bërë askush para tyre në botë (Araf, 80-82)? Nëse jo, atëherë mos vallë shpikja e kësaj vepre nuk paska qenë si pasojë e sjelljes së tyre të lindur natyrore, por ishte një shfrenim i synuar seksual në kuadër të tejkalimit të tyre ndaj kufijve natyror njerëzor?

-Nëse në atë kohë, homoseksualiteti nuk paska qenë me të lindur por i inicuar, ndërsa sot me të lindur dhe si prirje natyrore, atëherë a nuk kemi të bëjmë me dy kontekste të ndryshme?!

-Nëse historia e Sodomës dhe Gomorrës apo jeta e saktë e Profetit Muhamed nuk i referohen këtij homoseksualiteti, atëherë mbi çfarë baze tjetër shkencore i bazoni argumentet tuaja?

-Nëse homoseksualiteti qenka shkak i sëmundjeve të rënda dhe të pashërueshme siç është HIV/AIDS, atëherë pse Kalifi i Dytë, Omer ibn Khatabbi dhe i biri i tij Abdullahu e kanë lejuar marrëdhënien seksuale në anus?!

-A është haram sipas kundërshtarëve lejimi i pirjes së alkoolit, bashkëjetesa mes dy qifteve, ndarja e barabartë e pasurisë mes burrit dhe gruas, apo vetëm homoseksualiteti?

-Sa i përket presionit politik, a ishin myslimanët apo Sulltanat e Perandorisë Osmane ata të cilët e përhapën kulturën e ndalimit të homoseksualizmit në botë dhe i persekutuan ata me vrasje apo djegie në publik, apo ishin kolonizatorët perëndimorë që e bënë këtë gjë?

 

Related Articles

Back to top button