
“Katastrofë, nuk është zakon i joni”, qytetarët të frustruar për martesat mes personave të gjinisë së njëjtë
Çështja e martesave mes çifteve të gjinisë së njëjtë është në fokus gjatë kësaj periudhe. Kjo pasi edhe në Kuvend një temë e tillë është diskutuar, shkruan Gazeta Demos.
Por, shumë qytetar janë akoma kundër një ligji të tillë që mund të lejonte martesën mes gjinive të njejta, e kjo vërtetohet edhe nga pyetjet për ta në sheshin e kryeqytetit.
“Shoqëria jonë ka shumë nevojë për emancipim, na jena popull që dokem mrekullueshëm në pamje, por mentaliteti jonë çalon pak”,”Mendjet s’mundesh me ja ndrru kërkujna por mas me rëndsi është me i kqyr punt e tona, përndryshe unë jom shumë për dashurinë kështu që përgjigjen e ke”.
“Katastrofë…”.
“Mendoj se nuk janë adekuate për vendin tonë sepse nuk është zakon i joni” janë shprehur disa prej qytetarëve.
Kjo temë u riaktualizua edhe me martesen e vëllaut të deputetes Mimoza Kusari-Lila e cila tha se si shoqëri duhet me qenë pro dashurisë.
“Unë nuk kam pranuar me të drejtë që të bëhem pre e një luftë që nuk e ka pasur synimin t’i mbrojë të drejtat e komunitit LGBTQI+ në Kosovë… për mua ka qenë luftë e shprehur ndaj këtij komuniteti në Kosovë, për arsye se vëllai im jeton në Kanada”, është shprehur Kusari Lila.
“Vëllai im fatmirësisht është në një shtet me demokraci, në të cilin ka ministra, jo vetëm të orientimit seksual të gjinisë së njëjtë, por ka edhe transgjëndër… unë kam refuzuar të hyj në këtë diskutim”, ka thënë Kusari Lila.
Ndryshe Kryetarja e grupit parlamentar te VV-se ka thënë se deputetët e kësaj partie, do ta diskutojnë nenin e Projekt-Kodit civil, përkatësisht librin 4 të familjes, lidhur me martesat mes gjinisë së njëjtë në Kosovë.
“Projekt-Kodi Civil është hera e parë që prezantohet në Kuvendin e Kosovës, përmban 1630 nene dhe pesë libra, është baza e të drejtës civile për secilin shtet në këtë rast edhe Kosovës. Ajo të cilës ju i referoheni, përbëhet në librin e katërt që është familja. Debate publik po vërehet që i gjithë debate po shkon në çështjen e librit të katërt e po humb fokusi te librat e tjera”, tha ajo.