
Kosova i shpall “non grata” dy zyrtarë rusë
Kosova ka urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë, duke akuzuar Moskën për aktivitete “destabilizuese”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të premten (22 tetor) se dy diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë janë shpallur persona të padëshiruar (non grata) dhe janë urdhëruar të largohen nga vendi.
Ajo tha se i ka kërkuar zëvendëskryeministres, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, t‘i shpallë persona të padëshiruar dy zyrtarët rusë për shkak të “aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit”.
“MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohë i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”, thuhet në një njoftim të presidentes Osmani.
Presidentja Osmani ka thënë se institucionet e vendit janë të vendosura në luftën kundër ndikimit qëllimkeq të Rusisë dhe “satelitëve të saj në rajon”, të cilët, sipas saj, synojnë rrënimin e arritjeve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara, NATO-s, dhe Bashkimit Evropian.
“Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse”, thuhet në njoftim.