Ngjarjet e ditës

Kryediplomatja gjermane i kërkon Vuçiqit përparim urgjent në dialog me Kosovën

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, të premten paradite nga Kosova shkoi për vizitë në Serbi.

Takimin kryesor në Beograd zyrtarja nga Berlini e kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Na duhet përparim i dukshëm në dialogun e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe sot ne folëm goxha për këtë temë. Gjermania do që t’i kontribuojë këtij procesi dhe pas zgjedhjeve në Serbi duam që qeveritë e Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapat e duhur për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, tha kryediplomatja gjermane.

E Vuçiq deklaroi se Gjermania është “shteti më i fuqishëm në Evropë” me të cilin ka mospajtime.

“Ne kemi dallim të madh me shtetin gjerman. Gjermania pranon Kosovën shtet të pavarur e Serbia nuk e bën. Ne biseduam për këtë dhe erdhëm në përfundim se pa asnjë dyshim me dialog duhet t’i zgjidhim krejt problemet që i kemi. Serbia është e përkushtuar në dialogun e Brukselit dhe në mënyrën më të mirë po mundohemi që ky dialog të përparojë”.

Para se të shkojë në Beograd, Annalena Baerbock ishte për vizitë bashkë me ekipin e saj në Prishtinë dhe Sarajevë. Në krejt këtë turne ministren gjermane e përcolli i Dërguari I Posaçëm I Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuell Sarazin.

Related Articles

Back to top button