Kurti: Këtë vit do të aplikojmë për anëtarësim në BE, pesëshja e BE-së të na njohin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova do të aplikojë këtë vit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kurti ka thënë se pret që Kosova të jetë edhe në Këshillin e Evropës dhe në programin për paqe të NATO-së.
“Unë besoj që është realistike të pritet që metodat e vjetra nuk mund të jenë më të mirat në këtë situatë të jashtëzakonshme. Me hyrjen e Ballkanit Perëndimor në BE, kufiri i jashtëm i BE-së do të tkurrej për 3 mijë kilometra. Kështu që në terma të sigurisë, është shumë mirë që të inkuadrohet Ballkani Perëndimor në BE”, ka thënë Kurti.
Sa i përket vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kryeministri tha se ky vit është viti kur këto shtete duhet të bëjnë hapa para për ta njohur Kosovën.
“Jemi në kontakte intensive me vendet që s’na kanë njohur. Shpresoj që ky është viti që ato duhet të bëjnë hapa substancial për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe t’iu bashkohen shumicës tjetër në BE dhe NATO”.