
MPJ e Gërvallës shkarkon 11 zyrtarë: Kemi gjetur parregullësi
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, ka njoftuar për shkarkimin e 11 zyrtarëve të shërbimit të jashtëm të kësaj ministrie,shkruan periskopi.
Në njoftimin e MPJ-së bëhet e ditur se zyrtarët në fjalë janë shkarkuar meqë janë gjetur parregullësi në procedurat e emërimit të tyre në ato pozita.
Tutje, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës është duke shqyrtuar edhe masa ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin e zyrtarëve të shkarkuar.
Për fund, në njoftim thuhet se MPJ është e vendosur për zbatimin e ligjit në vend si dhe në luftimin e parregullësive.
Deklarata e plotë:
“Deklaratë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas një analize të detajuar ligjore, sot ka ndërprerë marrëdhëniet e punës së 11 punonjësve të kësaj ministrie.Ky vendim është marrë në vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të jashtëligjshme, të marra në të kaluarën.
Personat e liruar sot nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në shërbimin e jashtëm. Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke shqyrtuar edhe masat që duhet të ndërmerren ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin e paligjshëm të personave të mësipërm. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur në zotimin e saj për vendosjen e ligjshmërisë në vend. Keqpërdorimi i parasë publike dhe punësimet e paligjshme nuk kanë vend në administratën publike dhe do të ndalen dhe luftohen me vendosmëri”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.
Kujtojmë se Ministria e Jashtme e Kosovës nën udhëheqjen e Donika Gërvallës është në qendër të kritikave qe një kohë të gjatë për performancë të dobët.