
Nis zbritja e lehtë e çmimeve të karburanteve, ky është çmimi që parashihet të jetë brenda ditëve në Kosovë
Përkundër shtrenjtimit enorm të karburanteve nga ora në orë në tregun tonë, sot ka nisur të bie çmimi i tyre nëpër disa kompani përreth 0.16 centë për një litër naftë.
Një litër naftë sa ishte deri dje 1.82 euro në kompaninë “Petrol Company”, sot është 1.65 euro. Në anën tjetër në disa kompani të tjera, çmimet e karburanteve vazhdojnë të jetë deri 1.75 euro.
Ndonëse, edhe kryetari i Shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani, paralajmëron se sot do të ketë një zbritje të lehtë të derivative.
Pronari i kompanisë “Petrol Company”, Shkëlzen Jusaj paralajmëron një zbritje të lehtë të këtyre çmimeve në tregun e Kosovës, për arsye siç thotë ai të shtimit të prodhimit të derivateve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Madje, Jusaj paralajmëron se çmimet do të rikthehen deri në 1.35 euro.
“Çmimet aktuale në “Petrol Company” është 1.65 euro nafta dhe 1.55 euro benzina. Çmimet kanë pësuar një rënie për shkak që SHBA, ka shtuar prodhimin për shkak të refuzimit dhe sanksioneve të produkteve ruse (naftës), dhe me këtë rast sigurisht është shtuar oferta në regjionin tonë dhe në pjesën tjetër të Evropës. Megjithatë lajm i mirë tjetër është se shtetet arabe kanë pranuar ta rrisin prodhimin me ç’rast ka ndikuar menjëherë të ketë rënie në bursat ndërkombëtare, përfshirë edhe regjionin tonë. Ne sipas informatave që i kemi, OPEK-u është duke shqyrtuar mundësinë e rritjes së prodhimit dhe kjo besoj që do të ndikoj në zbritjen e çmimeve në përgjithësi në burës, të cilat reflektojnë direkt edhe në tregun e Kosovës. Është mbi 15-16 centë, ndryshimi prej ditës së djeshme e deri sot”, u shpreh ai.