Përfundon dënimin, martohet shqiptari që vodhi 53 milionë paund në grabitjen më të madhe në historinë e Britanisë
Vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, është martuar shqiptari i famshën autor i grabitjes më të madhe në historinë e Britanisë.
Jetmir Bucpapa, shqiptari i cili konsiderohej si ‘koka’ e bandës që kreu grabitjen e 53 milionë paundve në Britaninë e Madhe, grabitja më e madhe në historinë e ishullit dhe e dyta më e madhe në botë është martuar.
“The Mirror” shkruan se shqiptari që mori pjesë në vjedhjen e 53 milionë paundëve nga depoja e Securitas në Tonbridge, Kent në vitin 2006 është martuar në Shqipëri. 41 vjeçari, u dënua me 15 vjet burg për grabitje, rrëmbim dhe armë.
Por ai u lirua nga burgu në gusht të vitit të kaluar dhe u deportua. Gruaja e parë britanike e Bucpapa-s, Rebecca, ishte zotuar t’i qëndronte pranë, por ata thuhet se janë divorcuar ndërsa ai ishte brenda. Por kur është kthyer në Shqipëri, Jetmiri është martuar me Besiana Dushinën në qytetin e tyre të lindjes, Tropoje, në një dasmë luksoze, shkruan “The Mirror”.
Fotot i tregojnë ata duke pozuar me dashuri në një shtëpi madhështore. Më pas ata u nisën për në muajin e mjaltit. Besiana, 34 vjeç, nuk pranoi të tregonte për gazetën se ku, por tha se ishte “shumë e veçantë”.