Ngjarjet e ditës

Policia jep detaje për situatën në Jarinjë e Bërnjak pasi banorët serbë bllokuan rrugën me zhavorr

Policia e Kosovës po vazhdon të qëndroj në afërsi të pikës Kufitare Bërnjak e Jarinjë, aty ku banorët lokal serbë kanë vënë barrikada për të mos lejuar qarkullimin e automjeteve, pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për reciprocitet me targa.

Situata edhe gjatë natës së mbrëmshme ka qenë e qetë, pavarësisht se banorët kanë vendosur edhe zhavorr si barrikadë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka bërë të ditur për Telegrafin se situata po vazhdon të jetë e njëjtë në atë pjesë.

Ai tha se gjendja edhe gjatë natës ka qenë e qetë dhe deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident.

“Situata është pothuajse e njëjtë. Ka pengesa në të dyja anët. Është tash edhe një pjesë me zhavorr që e kanë vendosur si pengesë. Situata është e qetë në përgjithësi dhe si çdo herë Policia e Kosovës po bën punën e saj në mënyrën më të mirë”, tha Kelani për Telegrafin.

Sot është dita e katërt që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, ndërsa si rrjedhojë serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës.

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur në këto dy lokacione, derisa dy shtetet shkëmbyen akuza e kundër akuza pas këtyre zhvillimeve.Pavarësisht se situata ka qenë e qetë, shfaqja e xhandarmërisë serbe në afërsi të territorit të Kosovës ka ngritur shqetësime.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti një ditë më parë është deklaruar sërish rreth gjendjes në vendkalimet kufitare, ku serbët po protestojnë kundër masës së reciprocitet për targa.

Kurti iu ka bërë thirrje serbëve që të mos i bllokojnë rrugët, teksa ka shtuar se vendimi për reciprocitet për targa është i drejtë.

Related Articles

Back to top button