
Presidentja Osmani për mediumin portugez: Serbia me ndihmën e Rusisë po e destabilizon Ballkanin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron për një vizitë zyrtare në Portugali ku është takuar me zyrtarët e lartë të shtetit iberik. Shefja e shtetit ka dhënë një intervistë për gazetën vendore “Diario de Noticias” ku ka folur për situatën në Kosovë, raportet me Serbinë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
E pyetur se si e përshkruan situatën aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, Osmani ka thënë se situata është e komplikuar shkaku i fqinjit verior që ka synime destabilizuese.
“Është një situatë e komplikuar, fatkeqësisht, e krijuar nga fqinji ynë verior, me qëllime destabilizuese jo vetëm kundër Kosovës por poashtu edhe në Bosnje, Mal të Zi dhe shtete tjera në rajon. Por pavarësisht sulemeve Kosova gjithmonë ka qenë paqësore dhe fqi konstruktiv. Edhe pse ka Kosova ka dëshmuar angazhimin për dialog me Serbinë, Serbia ka bërë të kundërtën. Vazhdon të ndërtojë një kampanjë agresive kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare, vazhdon të abuzojë me dialogun duke shpërndarë informacione të gabuara tek disa shtete të largëta se dialogu është i përqëndruar në statusin e Kosovës gjë që s’është e vërtetë dhe ka kryer disa iniciativa destabilizuese me ndihmën e Rusisë, duke mbajtur tensionet dhe konfliktet aktive dhe duke e lënë rajonin jashtë integrimit evropian, kundër asaj çfarë ne duam dhe mbrojmë. Pavarësisht gjithë kësaj, përpjekjet tona janë të sinqerta, ne jemi shumë të sigurt në synimet tona, ne flasim sinqerisht me miqtë tanë në BE, SHBA dhe më gjerë”, ka thënë Osmani.
Duke folur për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe kërkesës për njohje nga India, Osmani tha se e di që vendimet në shtetet e mëdha si India marrin kohë dhe për këtë është optimiste.
“Unë jam optimiste, por në të njëjtën kohë jam shumë e duruar, sepse e kuptoj që me vende si India gjërat nuk janë aq të shpejta sa do të donim. Kur bëhet fjalë për t’u bërë anëtare e OKB-së, ne jemi njohur nga shumica e anëtarëve të BE-së, por problemi është me Rusinë, e cila po kërcënon të përdorë të drejtën e vetos. Fatkeqësisht për shkak të mungesës së reformave brenda sistemit të BE-së, vende si Rusia bllokojnë realitetet në mbarë botën, bllokojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën, bllokojnë një sërë vendimesh që Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet t’i kishte zgjidhur shumë kohë më parë. Por në rastin e Kosovës, ekziston një argument edhe më i fortë që OKB-ja t’i mbajë krahët hapur ndaj nesh, që është mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku pata fatin të përfaqësoj vendin tim përkrah avokatëve të tjerë. GJND-ja ishte shumë e qartë kur tha se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë ishte shumë e qartë duke thënë se nuk mund të krahasohet me synimin e territoreve të tjera nëpër botë për t’u bërë e pavarur”, ka thënë ajo për mediumin portugez.
Ajo ka thënë se kritikat për mosrespektim të minoriteteve në Kosovë nuk qëndrojnë pasi minoritetet gëzojnë të drejta dhe mbrojtje më shumë se çdo vend tjetër i botës dhe se Kosova njihet për tolerancën fetare.