
Prishtinë: E goditi me veturë policin dhe iku, arrestohet 22-vjeçari
Një 22-vjeçar është arrestuar si i dyshuar për vrasje në tentativë.
I njëjti e kishte goditur me veturë një zyrtar policor, duke i shkaktuar lëndim të rëndë.
L.L. është kapur nga policia mbrëmë në rrugën “Abdulla Bojku”.
Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Dje rreth orës 19:30, policia ka pranuar thirrjen për një rast të kanosjes, të ndodhur në rrugën “Plava” në Prishtinë. Njësia policore menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe, duke dhënë urdhra të ligjshëm, ka provuar të ndalojë të dyshuarit”.
“Një i dyshuar, respektivisht vozitësi i veturës, ka refuzuar respektimin e urdhrit policor si dhe ndaljen, me ç’rast vrullshëm ka drejtuar veturën e tij, VW Polo, me targë Kosove, për t’i ikur policisë. Me këtë rast, me veprimin e tij, i dyshuari ka goditur me veturë zyrtarin policor, duke i shkaktuar lëndim të rëndë, për çfarë i është ofruar ndihma mjekësore”.
“Ndërkohë, policia ka nisur një hetim të shpejtë për ngjarjen, ka identifikuar të dyshuarin, L. L., 22 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, të cilin e ka lokalizuar dhe arrestuar pak kohë pas ngjarjes në rrugën ‘Abdulla Bojku’ në Prishtinë”.
“Pas arrestimit, policia ka iniciuar një hetim për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje prej 48 orësh”.