
Qytetarët zbrazin raftet nëpër markete, kërkojnë nga Qeveria të marrë masa kundër shtrenjtimit të produkteve ushqimore
Rafte të zbrazëta, vërehen në shumë markete të Prishtinës, të cilët kanë filluar të furnizohen me shumicë për shkak të frikës se produktet bazike mund të shtrenjtohen si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Në disa markete, mund të vërehej frekuencë më e madhe e njerëzve por edhe rafte të zbrazëta.
Disa qytetarë thonë se rritja e çmimeve të produkteve ushqimore është situatë e dhimbshme dhe e papërballueshme për ta.
Gjevdet Podrimaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të marrë masa në këtë drejtim.
“Tani shihet që kohëve të fundit ka një rritje vërtetë të papërballueshme të çmimeve, është shumë e dhimbshme, pagat nuk kanë ndryshuar asgjë, të hyrat nuk kanë ndryshu asgjë ndërsa çmimet kanë shku dikund edhe 100 për qind. Vërtetë e papërballueshme. Mirëqenia është ul shumë. Qytetarët jetojnë keq, ndërsa Qeveria nuk është duke ndërmarrë asgjë në këtë aspekt”, tha ai
Bahrie Ispahiu, qytetare nga Prishtina, tha se rritja e çmimeve nuk është e mirë pasi edhe pagat janë të ulëta. Tutje ajo tregon se si janë zbrazur marketet.
“Po nuk është e mirë rritja e produkteve se pagat nuk janë të larta, janë të ulëta. Meqenëse unë jam familje e vogël, për mu prapë nuk ka problem, po ka familje që janë shumë skamnore, s’kanë kushte. Krejt janë zbraz, dje isha në mëngjes në “viva fresh” kishte mjaft vaj, në mbrëmje hiç”
Ajo thotë se çmimet nuk duhet rritur, por që ato duhet të jenë sipas standardeve.
“Apeli im është që mos t’i bëjnë rritjet e çmimeve. Sipas standardeve edhe çmimet duhet me qenë, po më duket ashtu”, tha ajo për EO.
Ahmet Muslia i cili jeton në Gjermani thotë se çmimet në Kosovë janë më të larta se në Gjermani.
“Unë jam në Gjermani, në krahasim me atje çmimet më të mëdhaja janë këtu. Po qysh s’jemi, veç sot çka dëgjova që thanë se vajin e disa tjera nuk ka më nëpër markete”, tha Musliu, i cili kërkoi që qytetarët të ndihmohen, pasi ata që jetojnë me pension 100 euro e kanë të vështirë t’ia dalin.
“Dashtë Zoti i’a dalin. Nuk ki çka bënë, duhet me i’u ndihmu qytetarëve. Ata që jetojnë me një pension me 100 euro ata nuk munden me jetu. Si me jetu me 100 euro njeriu”, tha ai.