Ngjarjet e ditës

Shoqatat e dala nga lufta kërkojnë të përfshihen në rritjen e pagës minimale, qeveria hesht

Rritja e pagës minimale në vend që është paralajmëruar të ndodhë së shpejt, nuk do të ndodhë edhe për pagat e kategorive të luftës, në këtë rast për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përveç sindikatave edhe drejtues të shoqatave të dala nga lufta, thonë se nuk do të qëndrojnë duar kryq nëse nuk përfshihen në pagën minimale që parashihet të rritet në muajt e ardhshëm.

Ndonëse në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve nuk kanë treguar se a do të përfshihen në rritjen e pagës minimale edhe veteranët e luftës, profesori i ekonomisë, Nagip Skënderi, i cili kërkon që paga minimale të jetë 300-400 euro, thotë se në rritjen e pagës minimale duhet të përfshihen edhe këto kategori të luftës.

Sa i përket nivelit të pagës minimale, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka shkruar dy ditë më parë se si qeveri kanë propozuar që paga minimale të jetë 264 euro/muaj, apo 1.5 euro/orë, mirëpo sipas tij, ky propozim nuk ka marrë votat e nevojshme, sepse përfaqësuesit e sindikatave nuk e mbështetën.

Ndonëse, ministri Murati mes tjerash ka thënë po ashtu krejt çka arrihet me këtë mos-votim nga sindikatat është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku duke komentuar ligjin për ndryshimin e ligjit bazik për këto kategori, thotë se deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit luftëtar të UÇK-së, skema pensionale zbatohet siç është paraparë me ligjin bazik.

“E ai kategorizim as që ka filluar qe 4 vite, për shkak se qeveritë nuk kanë dashur ta bëjnë këtë, por edhe nuk mund të filloj tani për shkak se dosjet janë në Prokurori, e lënda në Gjykatë. Prandaj, të mos bëhen çdoherë temë veteranët, të cilëve me ligjin 04/L – 261, që është i vetmi në fuqi, iu rritet pensioni krahas pagës minimale. Sipas informacioneve, thuhet se Qeveria e Kosovës po e përgatit ndryshimin e ligjit në fuqi, për të mos ua rritur veteranëve pensionet”, thotë ai.

Edhe kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari ka thënë se është e papranueshme për ta nëse nuk rriten edhe pagat e kategorive të luftës.

Related Articles

Back to top button