
Shqipëria fiton treg në Kosovë
Eksportet e produkteve shqiptare drejt Kosovës janë rritur dyfish
Marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës po vijnë duke u zgjeruar vit pas viti.
Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Kosovës gjatë muajit janar të këtij viti arritën 2.7 miliardë lekë, duke shënuar rritje për 2-fish, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021-shit.
Ndërkohë, importet shënuan një rënie të lehtë, duke arritur në 520 milionë lekë nga 539 milionë lekë që ishin në janar të 2021-shit.
Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike. Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/mobilierisë, si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera.