
Si u bllokua Policia e Kosovës në Zubin Potok nga serbët me makina pa targa
Policia e Kosovës tha se në orët e mbrëmjes të së mërkurës është penguar nga dy automjete civile pa targa, në afërsi të Liqenit të Ujmanit.
Sipas një njoftimi të Policisë, në pjesën veriore të Mitrovicës, zyrtarët kanë vërejtur një kamion që dyshohej për kontrabandë me mallra, por nuk mundën ta ndalën atë, pasi u penguan nga dy makina pa targa.
“Dy automjetet civile, me lëvizjet e tyre dhe krijimin e pengesave në rrugë, kanë penguar zyrtarët policorë, duke iu pamundësuar ndaljen e kamionit i cili dyshohej për kontrabandë mallrash”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia tha se pas kësaj ka alarmuar të gjitha njësitë relevante, që kanë asistuar zyrtarët kufitarë për hetimin dhe kërkimin e personave si dhe të automjeteve të dyshuara.
Liqeni i Ujmanit gjendet në Komunën e Zubin Potokut, që është e banuar me shumicë serbe.