
“Sikur të pyetej populli, ai do të ishte ekzekutuar”, flet gruaja e Jetmir Aliajt, pas zbutjes së dënimit për ish-rreshterin e Policisë
“Nuk po mundem me besu, drejtësia ndoshta dikur vjen”, janë fjalët e gruas së Jetmir Aliajt, punëtorit të kazinos që u vra nga ish-rreshteri i Policisë, Shefki Spahiut, pasi Gjykata Supreme ia zbuti dënimin nga burgim i përjetshëm në 25 vjet burgim. Në një prononcim për Sinjalin ajo ka rrëfyer se si e mori lajmin për këtë vendim, që dhimbjen ia ktheu si në ditën e parë.
Vendimin për zbutje të dënimit, A.Aliaj, gruaja e Jetmirit tha se e priti jashtëzakonisht keq, duke shtuar se iu shuan shpresat se drejtësia do të vijë një ditë, e vrasësi i burrit të saj të dënohet “siç e meriton”.
Mes dhimbjes së madhe ajo thotë se ndoshta gjykatat sipas saj mund të fshehin gjithçka, por jo edhe faktet, duke iu referuar pamjeve të vrasjes së burrin të saj, të cilat i quan si mbretëresha e këtij rasti.
“Më beso që nuk kam fjalë, nuk po mundem me besu se në çfarë vendi po jetojmë, është mjeruese me këto gjykata të korruptuara. Drejtësia ndoshta do të vonojë, por dikur do të vie. Ne CD-në e kemi mbretëreshën e të gjithave. Ata munden t’i fshehin të gjitha, por jo edhe faktet”, tha ajo për Sinjalin.
Ajo tutje ka shtuar se është marre për gjykatat, të cilat po e mbrojnë “një kriminel”, duke marrë vendime të tilla, të cilat ia kthyen dhimbjen sikur në ditën e parë kur ndodhi rasti,
“Po e mbrojnë një kriminel marre, na kanë rikthy dhimbjen edhe njëherë sikur ditën e parë. Aha sa keq, sikur ta kishin pyetur popullin ai që moti do të ishte i ekzekutuar. S’po mundem fare bre ta kuptoj e të bindem me faktin që po e mbrojnë një kriminel kështu. O Zot uroj që të provohen me një gjë të tillë”, tha ajo.
Gruaja e Aliajt tha se është në gjendje të tmerrshme, duke u munduar të bëhet e fortë para fëmijëve të saj, por që nuk po ia del. E lotët e tyre, ajo shtoi se “do të ia zënë frymën Spahiut e njerëzve që po e mbrojnë”.
“Jam në gjendje të tmerrshme, duke u munduar të bëhem e fortë pranë fëmijëve por e kot nuk po mundem. Si mund të bëhem e fortë kur merr lajme të tilla nga një gjykatë që kinse është për drejtësi e bën padrejtësi. E kam thënë njëherë e po e përsëris që malli i fëmijëve dhe lotët e mi do t’ia zënë frymën atij krimineli dhe njerëzve të tij që po e mbrojnë”, përfundoi ajo rrëfimin.
Ky aktgjykim i Gjykatës Supreme është marrë “në emër të popullit” më 10 nëntor të vitit që lamë pas.