
Skender Hyseni për rezolutën e Kurtit: Duhet të jesh i marrë që t’ia bësh atë pyetje Kuvendit
Ish-koordinatori nacional për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, ka thënë se dërgimi i Rezolutës për ndalimin e referendumit të Serbisë në Kosovë ka qenë veprim i panevojshëm. Ai ka shtuar se nuk mund të konsiderohet fitore zbatimi i Kushtetutës në vend.
Hyseni po ashtu thotë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur kohë të bisedojë me vendet e Quintit lidhur me ndalimin e këtij referendumi dhe nuk ka pasur nevojë të vijë puna deri tek komunikata e tyre që të lejohet ai referendum.
“Zbatimi i kushtetutës së vendit në të gjithë territorin nuk mund të konsiderohet as fitore as humbje. I kanë kërkuar parlamentit, e kanë pyetur nëse duhet të zbatojnë Kushtetutën apo jo. Kjo është në vetvete anakronike. Nuk ka pasur nevojë të pyetet Kuvendi nëse ka nevojë të zbatohet Kushtetuta. Askush nuk e debaton karakterin anti-kushtetues të mbajtjes së referendumit. Kurti ka pasur kohë të komunikojë me Quintit e të koordinoheshin që të mos binin në befasi. Që të mos lejohej referendumi serb në Kosovë. Rrjedhimisht që të mos vinte deri tek një komunikatë e Quintit për këtë. Është dashur të ketë komunikim dhe koordinim për këtë punë”, tha ai në emisionin Pressing në T7.
Ai tutje thotë se pyetja e shtruar në rezolutë është retorike dhe se duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë sa më shpejt në mënyrë që të mos ketë këso situata në të ardhmen.