
Subvencione deri në 20 mijë euro për gratë në Prishtinë
Shtyrja e grave në hapjen e bizneseve dhe inkuadrimi tyre nëpër pozitat menaxheriale, është synimi kryesor i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Gjatë seancës solemne për nderë të ditës së gruas, Rama tha se Prishtina do subvencionojnë gratë për fuqizimin e tyre në pozita menaxheriale si dhe në kurse që do i edukojnë për sipërmarrje.
Sipas tij, përqindja e pjesëmarrjes prej 0.03 % të grave në biznese është alarmante.
“Nëse i shikon statistikat e grave nëpër biznese dhe nëpër pozita menaxheriale është një gjendje alarmante, 0.03 për qind e grave janë në pozita menaxheriale dhe duhet të ndryshoj dukshëm, pra është një numër shumë i vogël i grave që hapin një kompani. Ne kemi një numër të dukshëm të subvencioneve që i dedikohen fuqizimit të gruas edhe në kurse të ndryshme për t’i edukuar në aspektin e menaxhimit apo sipërmarrjes për të mundësuar fuqizimin e saj në shoqërinë tonë. Kemi subvencione deri në 20 mijë euro të dedikuara për gratë”, ka thënë kryetari Rama.
Rama po ashtu tha se nuk do ndalen deri në balancimin e dy gjinive brenda shoqërisë.
“Kemi bërë një balancim më i mirë më i mirëfilltë, kjo ka qenë gjithmonë synimi im dhe kemi arritur një ndryshim të madh. Gjithashtu ndërlidhja e programeve subvencionet në zonat rurale tani i kemi me gratë në mënyrë që t’i japim një fuqizim më të madh se deri më tash. Balancimi i gjinive është për të mirën edhe të grave por edhe të burrave. Sot ishte një seancë solemne ku pat një numër të madh të burrave dhe tregon faktikisht se burrat e kanë të ngritur vetëdijesimin dhe janë në fakt për fuqizimin e grave dhe të drejtave të tyre dhe do të vazhdojmë deri të kemi atë bilanc”, tha ai.
Drejtoresha e Mirëqenies Sociale, Adelinë Sahiti thotë se grave në komunë duhet të punojnë çdo ditë për fuqizimin e gruas.
“Kjo ditë na kujton se për të arritur diçka në jetë duhet shumë mund dhe sakrificë. Gjatë historisë gratë e kanë pasur më të vështirë të arrijnë qëllimet e veta por fatmirësisht tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe janë në avancën tonë. Komuna na ka ofruar hapësirën e merituar të jemi udhëheqëse në komunën e Prishtinës, ajo çka na mbetet është të angazhohemi për të drejtat e grave jo vetëm për 8 Mars por çdo ditë të vitit, të punojmë, të angazhohemi që këto të drejta t’i realizojmë”, ka thënë Sahiti.
Ndërsa asamblistja e Vetëvendosjes, Violeta Salihu thotë se kjo seancë do duhej të ishte mbledhja ku do të ngriheshin çështje që ndikojnë në fuqizimin e gruas në shoqëri.
“Pjesëmarrja sa më e madhe e gruas në Komunë është e rëndësishme pasi do të lobojmë në vazhdimësi për fuqizimin e gruas dhe këto seanca në fakt do të duhej të ishin në fakt seanca që do të ngrihen çështje për fuqizimin e gruas në shoqëri për një gjithë përfshirje sa më të madhe dhe përkrahjen e tyre në çdo sferë sidomos në edukimin e mëtutjeshëm të trajnimeve të ndryshme”, ka thënë Salihu.
Për nderë të kësaj dite, Prishtina ka përgatitur edhe një koktej rasti për të gjitha punëtoret e komunës.